Partizani do të luajë ditën e sotme kundër Korabit, ndeshje e vlefshme për javën e tetë të Superiores. Në këtë sfidë, trajneri i të kuqve Sulejman Starova, pritet të bëjë ndryshime në formacion, pasi nuk do të rrezikojë për ndeshjen e javës së ardhshme kundër kampionëve të Korçës.
Krasniqi, Batha, Ekuban dhe Bertoni janë katër futbollistët e kuq që kanë nga dy kartona të verdhë dhe nëse do të ndëshkohen sërish sot, do të thotë mungesë e rëndësishme për organikën e “Bobit” në supersfidën e javës së ardhshme. Gjasat janë që Krasniqi, Batha dhe Ekuban të zëvendësohen.
Në vend të Krasniqit pritet të hidhet në fushë Malota, në vend të Bathës mund të luajë Ylber Ramadani, ndërsa në majë të sulmit, në vend të Ekuban mund të nisë ndeshje si titullar Ben Azubel. Megjithatë duhet pritur ora 14:00, atëherë kur do të startojë takimi për të mësuar 11-shen e të kuqve, pasi tekniku i të kuqve mund të surprizojë me ndonjë lëvizje tjetër në skemën e 15-herë kampionëve të Shqipërisë.