Sipas vendimit të Komisionit të Disiplinës, Flamurtari do të përjashtohet nëse brenda 12 ditësh nuk përmbush detyrimet që iu përcaktuan ditën e djeshme. Kuqezinjve iu hoqën gjashtë pikë, ndërsa rrezikojnë që të zbresin në një kategori më poshtë.
Por, të gjithë janë në dileme pse klubit vlonjat do t’i zerohen pikët dhe skuadrave të tjera do t’iu zbritën pikët që i kanë marrë në përballjet ndaj Flamurtarit. Vendimi i FSHF-së është i tillë, sepse Flamurtari nuk ka kryer 50% të ndeshjeve të kampionatit. Sipas rregullores, skuadrat që përjashtohen, por që nuk kanë luajtur mbi gjysmat e ndeshjeve të kampionatit, zbatohet vendimi i heqjes së pikëve të skuadrave që janë ndeshur me Flamurtarin.
Po të kujtojmë rastin e dy viteve më parë, Bylisit, i cili u përjashtua nga kategoria në fund të sezonit 2013-2014, skuadrat morën të gjithë fitoren në tavolinë me rezultatin 3-0. Ky vendim erdhi sepse Bylisi kishte luajtur 24 javë të kampionatit, ndërsa në 9 javët e fundit ekipet që do të ndesheshin me të, i fituan ndeshjet në tavolinë.