Fundi i sezonit solli disa lëvizje në krye të skuadrave të Superligës. Ernest Gjoka në mënyrë të pakuptimtë u shkarkua nga detyra e trajnerit të Kukësit edhe pse fitoi titullin kampion, njësoj siç kishte ndodhur një vit më parë me Klodian Duron që fitonte Kupën e Shqipërisë.
Sulejman Starova nuk e fitoi titullin edhe pse bëri një sezon fantastik me të kuqtë por sërish e hoqën. Mirel Josa, trajneri i rekordeve në Korçë me Skënderbeun dështoi me bardheblutë duke i zbritur për herë të parë nga Kategoria Superiore. Presidentët e klubeve në Shqipëri nuk i kanë preferuar. Të katërt janë të papunë e në pritje të ofertave.
Ernest Gjoka – 47 vjeç, ambicioz dhe dy trofe të fituar në koleksion. Për momentin është stacionuar tek “Zona Gol” në Supersport, me rolin e analistit. Nga Kombëtarja e Kosovës kanë ardhur sinjalet e para për Gjokën që mbetet në pritje të një oferte konkrete.
Sulejman Starova – 61 vjeç, me dy trofe në koleksion dhe shumë eksperiencë me shumë skuadra në Superiore. “Bobi” për momentin është në rolin e këshilltarit të presidentit Gaz Demi, më tepër një post honorifik se sa një funksion real në Partizanin italian të këtij sezoni.
Mirel Josa – I papunë prej largimit nga Tirana, 54-vjeçari është trajnerit më fitues në historinë e futbollit shqiptar. Katër trofe rradhazi me Skënderbeun dhe një i fituar me Tiranën. Josa gjatë muajve të verës ka kryer rolin e analistit në të përditshmet sportive por ende nuk ka asnjë punë fikse.
Klodian Duro – 39 vjeç, ambicioz dhe i talentuar por i papunë prej më tepër se një viti. Duro provoi të fitonte me Kupën e Shqipërisë me Kukësin por më pas e larguan nga drejtimi i Kukësit. Vijon të menaxhoj biznesin e tij privat me asnjë tratativë konkrete me klubet e Superiores.