Ai nuk bëri emër vetëm në Shqipëri, por dhe në Gjermani, njëra prej “tokave të shenjta” të futbollit. Ervin Skela është njëri prej lojtarëve më të dashur të shqiptarëve. Askush nuk e harron kontributin e tij me Shqipërinë gjatë gjithë kohës që luajti me kuqezinjtë. Bogdani dhe ish-sulmuesit e tjerë ndiheshin rehat në fushë teksa Skela i furnizonte me topa.
Inteligjent, i saktë në pasime dhe “regjisor” i lojës, Skela ishte gjithmonë një hap para kundërshtarëve. Por ai nuk njihet vetëm për karrierën me Shqipërinë. 3 vite pasi debutoi në kampionatin shqiptar me Flamurtarin, Skela “emigroi” jashtë vendit në ligën e futbollit gjerman. Që nga 1995 deri më sot, ai nuk është larguar asnjëherë nga Gjermania, shtëpia e tij e dytë. Skela u përshtat shumë mirë me futbollin gjerman dhe pas disa vitesh, ish-trajneri ndjerë Medin Zhega i dha fanelën e Shqipërisë Skelës në vitin 2000.
Për 11 vite ai mbeti i palëvizur nga mesfusha. Skela formoi një dyshe të fortë me Altin Lalën, një tjetër ikonë e Kombëtares. Ai nuk ishte vetëm një organizator i zoti, por kishte dhe goditje të frikshme. I paharrueshëm është goli kundër Bayern Munich në 2004, kur i shënoi “Titanit” Oliver Kahn nga goditja e dënimit. Jo më pak gola ka bërë dhe me Shqipëinë (11) dhe renditet i treti pas Bogdanit dhe Bushit, të cilët janë sulmues. Skela merrte përsipër dhe goditjet e penalltive, të cilat nuk i shpërdoronte asnjëherë.
Pas një karriere të gjatë dhe të lodhshme, ai u tërhoq nga Kombëtarja në 2011. Në 2013, ai u vlerësua me “Pllakën e Mirënjohjes” nga FSHF-ja bashkë me ish-shokun e skuadrës Altin Lala për kontributin e madh me Kombëtaren. Është pjesë e bordit të legjendave të Eintrachtit të Frankfurtit, skuadër me të cilën u bë më i njohur në Gjermani. Por 3 vite pasi la lojën, Skela ndjeu mall për futbollin dhe iu bashkua Hanaut, ekip i divizionit të ulët të futbollit gjerman.
Paralelisht, ai vazhdon dhe përgatitjet për trajner. Edhe pse Shqipëria sot ka mesfushorë të fortë si Xhaka, Abrashi, Kukeli, Basha, etj. Kuqezinjve u mungon një “arkitekt” loje si Skela. Megjithatë, ai do të kujtohet me gëzim për futbollin argëtues dhe ndeshjet krenare me Shqipërinë. Ndoshta një ditë, Kombëtarja do të ketë një “Skela 2”. /Newsport.al/