Skuadra e Interit nuk është në ditët më të mira për shkak të rezultateve jo aq pozitive në javët e kampionatit që janë luajtur deri tani. Edhe pse kampionati është një ëndërr në sirtar për zikaltërit, synimi i tyre është Champions League për këtë vit.
Lidhur me ndeshjen që Interit do të luajë ndaj Tottenhamit ka folur trajneri i këtij ekipi, Luciano Spalletti. Tekniku e konsideron si ndeshje kthese këtë sfidë për skuadrën e tij, duke mos vënë në asnjë moment në dyshim fitoren ditën e nesërme.
“Është njëra prej atyre ndeshjeve që nuk do ta ndërroja për asgjë. Ndeshje të tilla të japin shumë dhe për ne vjen në një moment, ku duhet ta tregojmë veten. Championsi është një nga ato kompeticione, që nuk krahasohet me asgjë tjetër në botë, është si ‘drogë’. Unë i kam provuar emocionet e ndeshjeve të tilla dhe e di çfarë do të thotë. Nëse e provon, nuk bën dot pa Championsin”, u shpreh tekniku i zikaltërve në konferencën për shtyp një ditë para sfidës me Tottenhamin në “San Siro”.