Ditën e nesërme do të luhen ndeshjet e fazës çerekfinale në Kupën e Shqiopërisë. Partizani do të përballet me Luftëtarin e Gjirokastër, kurse Teuta do të ketë një takim shumë interesant me Kukësin në “Niko Dovana”.
Ndërsa të mërkurën është takimi i radhës mes Tiranës dhe Laçit. Çifti tjetër ishte ai mes Skënderbeut dhe Kamzës, por duke qenë se skuadra nga periferia e kryeqytetit është rrëzuar nga Komisioni i Disiplinës në Kategorinë e Dytë, korçarët janë automatikishte të kualifikuar për në gjysmëfinale.
Për Tiranën dhe Partizanin duket se do të jetë një garë shumë interesante, sepse bardheblutë duan ta fitojnë trofeun për të shkuar në Kupat e Europës. Në anën tjetër, Partizani ka 12 vite që nuk shkon në finale të këtij kompeticioni dhe duket se ky është viti i duhur për të shkuar deri në fund.
Kësisoj nuk përjashtohet mundësia që në Kupën e Shqipërisë të kemi një derbi Tirana-Partizani, që përveç spektaklit që do të shihnim në fushën e lojës, edhe në shkallët e stadiumit do të ishte diçka më vetë.