Skënderbeu ka mbyllur sot përgatitjet për ndeshjen ndaj Partizanit. Takimi mes dy rivaleve për titull do të luhet nesër në Korçë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Agostineli ka konfirmuar dy mungesa për sfidën ndaj të kuqve. Leonit Abazi dhe Argjend Mustafa nuk do të jenë të gatshëm për këtë ndeshje.
Abazi vazhdon akoma dëmtimin në gju, ndërsa Mustafa gjithashtu nuk ka mundur të rikuperohet në kohë.
Stafi mjekësor i skuadrës korçare ka rikthyer në kohë mbrojtësin Marko Radas, i cili do jetë pjesë e ekipit në ndeshjen e nesërme.
Seanca e fundit stërvitore ka pasur kryesisht karakter taktik ku tekniku italian, Andrea Agostinelli ka dhënë këshillat e fundit lojtarëve dhe ka provuar formacionin që mund të zbresë nesër në fushë nga minuta e parë.
Ndeshja Skënderbeu – Partizani luhet nesër, në kuadër të javës së 18-të të Superligës në orën 17:00 në stadiumin “Skënderbeu”, Korçë.