Skënderbeu arriti që të fitojë kundër Luftëtarit me rezultatin 1-0, duke marrë tri pikët e radhës dhe duke ruajtur kryesimin në tabelën e klasifikimit, teksa gjirokastritët edhe pse bënë lojë të mirë, sërish u kthyen te humbja.
Normalisht që ky është rezultat negativ që ndikon shumë në skuadrën e Mladen Milinkoviç, sidomos kur në fundjavë do të kenë përballë një skuadër pothuajse të njëjtë, Laçin. Ndaj kurbinasve do të kenë një mungesë me rëndësi. Bëhet fjalë për mesfushorin shkatërrues, Albano Aleksi.
Ky i fundit mund të vlerësohet si lojtari më i mirë i bluzinjve në katër javët e para, pasi është parë që luan mirë dhe përplaset, duke dalë shumë herë fitimtar në duelet e bëra me lojtarët e katër ekipeve që u përballën me gjirokastritët në katër javët e para të kampionatit.
Duke qenë se Eduard Rroca është i dëmtuar, trajneri Milinkoviç është në hall për zëvendësimin e tij, ku po i shikon të gjitha alternativat, madje i duhet që të ndryshojë skemë që të ketë skuadër konkurruese ndaj një kundërshtari që nuk duhet të dalë pa pikë.