Një lajm i madh ka ardhur për të gjithë zikaltrit shqiptarë, të cilët janë surprizuar nga klubi italian me lajmin e ri. “Inter Akademi Albania” do të hapet në Korçë. Mësohet se është arritur marëveshja mes Skënderbeut dhe klubit milanez. Ka nisur puna për hartimin e këtij projekti madhor, duke bërë të mundur zbatimin e këtij plani madhor në kohë rekord.
Kjo është një mundësi e artë, pasi planet janë që me hapjen e kësaj akademie në juglindje të vendit të zbulohen talentet e reja, të cilët do të merren në provë për tu dhënë një mundësi. Për çeljen e këtij projekti, posaçërisht ka ardhur grup përfaqësuesish të klubit zikaltër nga Italia, të cilët kanë biseduar me kryebashkiakun Filo, si dhe zv/kryeministrin Peleshi.
Mësohet gjithashtu se, në javët në vazhdim, një vizitë në Korçë mund ta bëjë vetë zv/presidenti i Interit, Havier Zaneti për të vëzhguar nga afër të gjitha detajet e këtij projekti gjigand, nga i cili do ketë përfitime të mëdha dhe për klubin korçar.