Krahas Skënder Gegës, në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes së Partizanit kundër Skënderbeut, ka folur mesfushori Esat Mala.
Titullari i të kuqve ka analizuar momentin që po kalon skuadra, është ndalur te deklarata e Alban Bushit dhe në fund ka përmendur edhe mungesën e Telushit, futbollist kyç për mesfushën e Partizanit.
MOMENTI – “Këto ndeshjet e fundit është e vërtetë që rezultatet nuk kanë qenë sikurse i kemi pritur, por normalisht jemi një ekip që kemi treguar se dimë të reagojmë. Presim reagimin nga i gjithë ekipi. Ndoshta ka ndikuar lodhja, ndoshta ngarkesa psikologjike. Besoj se varet edhe si marrin ndeshjet. Ka qenë një moment i keq i joni këto ndeshjet e fundit. Do bashkohemi çunat siç dimë, pasi kjo është ajo që na ka mbajtur në këto nivele. Besoj se do ringrihemi, duke nisur nga nesër kundër Skënderbeut”.
ALBAN BUSHI – “Nuk është momenti për të folur për atë temë. Mund të jetë keqkuptuar ndonjë gjë. Nuk është në karakterin tim të bëj gjëra të tilla. Jam krenar që përfaqësoj kombin tim dhe e kam ndër që vesh fanellën e kombëtares”.
DËMTIMI – “Kam kaluar një dëmtim të lehtë le të themi, që më mbajti jashtë fushave për disa kohë. Besoj se e kam lënë pas krahëve dëmtimin dhe do jem 100 për qind i gatshëm”.
TELUSHI – “Kuptohet, Telushi përveçse është një lojtar shumë i çmuar dhe i nevojshëm për ekipin, është po aq i nevojshëm edhe jashtë fushës me karakterin që ka. Fjalët e tij janë motivim për çunat”.