Trajneri i Partizanit Skënder Gega ka pranuar të zbërthejë jetën e dhe karrierën e tij si sportist për “gazetën si”. 55-vjeçari foli gjerësisht për mentalitetin e tij si trajneri, drejtimin e duhur që ka dërguar Partizanin këtë sezon, familjen, jetën në SHBA, etj.
“Profesor, çfarë do të thotë për një ish-futbollist të Partizanit, kampion me të, të jetë në stolin e tij dhe ta udhëheqë drejt një titulli që mungon prej 25 vitesh?
Për mua është një ëndërr, që po mundohemi ta bëjmë realitet, edhe pse nuk është aspak e lehtë.
Opinioni ju konsideron si personi, i cili po e ndryshon Partizanin, duke futur një frymë të re, ju sheh si një faktor stabiliteti në një ekip që kohët e fundit ka vuajtur për disiplinë…
Mendoj se për të qenë i suksesshëm në futboll, por edhe në profesione të tjera, patjetër që duhet të ndërtosh një grup, ku duhet të mbizotërojë fryma e fituesit dhe e sjelljes si profesionist brenda dhe jashtë fushe. Por shumë e rëndësishme është që klubi, së bashku me trajnerin, të jenë në një qëndrim për sa i përket disiplinës. Për fat të mirë, kjo gjë ka funksionuar te Partizani.
Sa e vështirë ishte për të vënë rregull në ekip, apo edhe për të “krasitur” elementët që nuk i shërbenin Partizanit, kur dihet që në Shqipëri ka shumë paragjykime?
Nëse të besohet diçka, është shumë me rëndësi që të jesh i drejtë dhe të bësh zgjedhje profesionale, t’i japësh secilit atë që i takon. Jo gjithmonë zgjedhjet janë absolutisht të drejta. Por nëse i bën me kujdes dhe përgjegjësi, gjërat shkojnë mirë. Në radhë të parë, trajneri duhet të përcjellë shembullin e një modeli, pastaj mund t’i kërkojë ekipit ta ndjekë. Nëse je model për ta, atëherë ia ke arritur qëllimit. Trajneri nuk duhet të tërhiqet nga vendimet që janë në të mirë të ekipit, pavarësisht nga ndonjë paragjykim.
Ju shpesh i mëshoni faktit se duhet respektuar kundërshtari në çdo rrethanë dhe mundoheni të shmangni protestat e lojtarëve apo stafit tuaj ndaj gjykimit. Pse është shumë e rëndësishme për ju kjo pjesë?
Në futboll, nëse je profesionist, vlerësimi i kundërshtarit është një nga gjërat që vërtet duhet respektuar. Kjo të bën ta përgatisësh ndeshjen të bazuar në vlerën që ka dhe duke parë potencialin dhe vlerat që ti ke.
Pas kthimit nga Amerika, çfarë ju ka bërë përshtypje në ambientin futbollistik shqiptar?
Unë vazhdoj të jetoj në USA. Ne kemi kulturën dhe traditat tona në sport dhe gjërat negative nuk duhet t’i lëmë të bëhen pjesë e kulturës sonë në futboll. Përshtypje që kurrë nuk do të pajtohem ose të merret një shembull nga ndonjë shtet tjetër, është sharja dhe fyerjet që ndodhin në stadium. Kjo nuk është traditë e shqiptarit.
Cila është jeta amerikane e Skënder Gegës dhe sa ka ndikuar ajo në personalitetin tuaj?
Jetoj në Amerikë gati prej 20 vitesh. Jam bërë gjysh dy herë dhe kështu jam i lidhur shumë me këtë vend. Kam ndërtuar një jetë të mirë dhe të qetë. Jeta ime është ajo që duhet të bëjë çdo qytetar, një jetë e ndërtuar me djersë dhe ndershmëri. E rëndësishme është që vajza dhe djali ime të kenë një jetë të mirë dhe të sigurt, të ndërtuar në vlerat që kanë. Këtu janë mundësitë, pastaj asgjë nuk të ndal që gjërat të shkojnë mirë.
A ka sadopak frymë “amerikane” te Partizani dhe pse rezervoheni gjithmonë, kur flitet fitimin e titullit?
Unë jam munduar të fus frymën, me të cilën unë jam edukuar. Asnjëherë nuk është vonë të marrësh diçka të mirë nga vendi ku jeton dhe të provosh. Këtu kam punuar në Universitet dhe në ekip kombëtar, por besoj se baza është familja dhe eksperienca e jetës. Për titull asnjëherë nuk jam shmangur, por jam munduar të jem me këmbë në tokë, duke e parë si një rrugë të gjatë dhe të vështirë.
Çfarë e bën të ndryshëm futbollin e sotëm, në raport me futbollin e kohës tuaj?
Ka disa ndryshime. Jeta ka qenë ndryshe në atë kohë dhe ne kemi bërë shumë sakrifica. Atë kohë brezi i sotëm nuk e kupton dot. Por sot mundësitë dhe hapësirat janë të mëdha, vetëm se duhet shumë përkushtim.
Po jeta sociale e një futbollisti të asaj kohe me këtë të sotmin, ku ndryshon?
Nuk mund të krahasohet. Është krejtësisht ndryshe.
Takoheni me ish-shokët e ekipit, apo ish-lojtarë të tjerë të gjeneratës suaj?
Mundohem të shpenzoj kohë më shumë me ish-futbollistët, me futbollistët e brezit tim. Mendoj se është një gjë shumë e mirë të mbash lidhjet me ata që ke kaluar një pjesë shumë të rëndësishme të jetës.
Si e kujtoni titullin e fundit të fituar me Partizanin në sezonin 1986-1987?
Ishte një vit fantastik. Ekipi ishte i mbushur me super lojtarë, ndërsa trajneri Neptun Bajko bëri një revolucion në mentalitet dhe në formimin e grupit. Kupën e ngritëm në ndeshjen e fundit të kampionatit, në Gjirokastër.
Cila është historia më e bukur që ju kujtoni nga karriera si futbollist i Partizanit dhe i Kombëtares?
Ndeshja më e bukur si futbollisti i Partizanit është ajo kundër vëllait tim, Halitit, i cili luante me Dinamon. Kurse ndeshja më e bukur me Kombëtaren është ajo ndaj Anglisë.
Çfarë ju pëlqen dhe çfarë ju streson më shumë në realitetin e sotëm shqiptar?
Shqipërinë tani po e shëtis më shumë dhe mendoj se kemi një vend të mrekullueshëm. Më streson më shumë fakti që njerëzit këtu akoma janë të lidhur shumë me politikën dhe janë peng i saj.
Nëse do të shpalleshit kampion me Partizanit, a do të bënit diçka të veçantë për kënaqësinë tuaj?
Do të festoj deri në mëngjes me ekipin dhe tifozët e Partizanit.”