Është luajtur sot ndeshja e Kategorisë së Parë, mes Korabit dhe Vllaznisë B, që përfundoi me rezultatin 2-1, në Dibër. Në këtë ndeshje ka patur dhe mjaft tension, teksa trajneri i Vllaznisë B, Ervis Kraja ka thënë se lojtarët janë kërcënuar dhe me jetë. Në një prononcim të dhënë për “Sport Ekspres”, Kraja ka thënë se lojtari Enes Isufi është kërcënuar me jetë nga presidenti i Korabit, Femi Mëziu.
“Mëziu ka ofenduar gjatë gjithë ndeshjes, lojtarët dhe mua personalisht, me fjalë nga më të ndyrat. Është futur edhe në fushë, ai bashkë me zyrtarë të tjerë, duke ushtruar presion dhe duke kërcënuar kapitenin e skuadrës sonë, Enes Isufin, duke i thënë “të fus plumbin”. Bëhet fjalë për një djalë të ri, anëtar i kombëtares shqiptare U-19, i cili ashtu si gjithë lojtarët e Vllaznisë B luan më shumë për pasion, sesa thjesht për një rezultat të marrë me dhunë. Këtë që na ka ndodhur në Dibër nuk do ta falim, do ta çojmë Mëziun në Prokurori, është i gjithë ekipi dëshmitar. Edhe arbitri bën mirë të flasë, sepse edhe ai ka marrë ofendime e kërcënime”.
Kraja ka thënë se nëse nuk merren masa, atëherë do të ketë bojkot nga Vllaznia B.
“Ky ekip dhe ky person duhet të dënohen për këtë që ndodhi, përndryshe u siguroj që ekipi im nuk do të luajë më këtë sezon. Është e tmerrshme, i marr djemtë e rinj nga familjet e tyre, dal garant për ta dhe hasim në presione skandaloze e kërcënime të tilla. Më kanë marrë me radhë gjithë prindërit e lojtarëve, në merak për fëmijët e vet, ndërsa drejtuesi i Korabit na thotë që do i dalë autobusit përpara, duke na kërcënuar hapur. Ky nuk është futboll”.