Çështja e dy ditëve të fundit është padyshim rrëmuja e krijuar për çmimin e biletave në ndeshjen Partizani – Skënderbeu. Të kuqtë vendosën të nxjerrin në shitje me çmimin 500 lekë biletat për tifozët e tyre për sektorët C1, C2 dhe C3 dhe me çmimin 500 lekë për sektorët e njëjtë G1, G2 dhe G3 në krahun tjetër të stadiumit “Elbasan Arena”. Partizani argumenton publikisht se pjesa e skontuar e çmimit subvensionohet nga klubi kundrejt kompanisë që menaxhon shitjen e biletave duke mos thënë që kompania është pjesë e klubit organizativ për ditën e ndeshjes.
Skënderbeu reagoi duke kërkuar që të mos ketë diferencim në çmimin e biletave gjë e cila është refuzuar nga të kuqtë. FSHF hesht duke i dhënë përmasa kësaj historie e duke lejuar klubet të konfliktohen në distancë edhe pse në këtë rast kemi të bëjmë më shkelje të rregullores.
Dy vite më parë, Skënderbeu tentoi ti shiste Tiranës biletat për tifozët bardheblu me çmimin 1 mijë lekë të reja dhe FSHF në atë kohë kërcënoi korçarët se nuk do të lejohej zhvillimi i ndeshjes nëse biletat nuk do të ndryshonin.
Kërcënimi i FSHF-së datë 05.04.2014
“Federata Shqiptare e Futbollit, e shqetësuar në lidhjet me njoftimet në shtyp për rritjen e çmimit të biletave për tifozët e Tiranës, në ndeshjen e javës së 27-të, Skënderbeu-Tirana, që do të luhet në Korçë, më 05.04.2014, ora 17.00, reagon si më poshtë:
Quan të papranueshëm çmimin e diferencuar të biletës mes dy tifozerive (për Tiranën është vendosur çmimi 1000 lekë të reja). Ky, është njëlloj diskriminimi krejtësisht i papranueshëm dhe i papreçedent në futboll. Në statutin e Federatës Shqiptare të Futbollit, neni 1, thuhet: “Diskriminimi i çdolloji kundër një vendi tjetër, personi privat ose grupi njerëzish në lidhje me origjinën etnike, gjinore, gjuhën, fenë, politikat ose ndonjë arsye tjetër është krejtësisht e ndaluar dhe dënohet me pezullim, përjashtim ose ndonjë vendim tjetër disiplinor”.
Federata Shqiptare e Futbolli i kërkon Klubit të Futbollit “Skënderbeu”, si organizator i ndeshjes, që urgjentisht të marrë masa për të bërë të barabartë çmimin e biletës për të dyja tifozeritë, si të Tiranës, ashtu edhe të Skënderbeut.
Në rast të kundërt, bëjmë me dije se ndeshja nuk do të zhvillohet”.