Shqipëria po bën përgatitjet për ti dhënë fund këtij sezoni me miqësoret e këtij muaji kundër Ukraines dhe Kosovës. Kuqezinjtë duan që i bëjnë një mbyllje sa më të mirë duke marrë rezultate pozitive. Lista e shpallur nga Panuci për këto dy miqësore ka habitur disi të gjithë pasi jashtë janë lënë emra të njohur si: Sadiku, Agolli, Kaçe apo edhe Memushaj.
Por ky fakt tashmë tregon se kombëtarja ka arritur një stad që nuk e ka pasur më parë. Tashmë ke mundësi zgjedhjeje të shumta dhe ‘luksi’ është i madh. Tani nuk marrim lojtarë jashtë forme siç bënim dikur, pasi në realitet ishin vetëm ata dhe nuk kishte të tjerë. Sot opsionet janë të shumta dhe në kombëtare do merren ata që janë më në formë dhe jo vetëm ata që ndër vite kanë krijuar reputacion pozitiv.