Kukësi po shfrytëzon situatën e ditëve të pushimit të kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares duke kryer disa seanca stërvitore që skuadra të jetë në tonus për ndeshjet e radhës në kampionat dhe Kupë.
Por, nëse skuadrat e tjera e shfrytëzojnë për të rikuperuar lojtarët e dëmtuar, te Kukësi ndodh e kundërta. Sulmuesi Sindrit Guri u dëmtua në kavilje dhe pritet që të mungojë duke nisur nga ndeshja me Dinamon për Kupën e Shqipërisë.
Te verilindorët vijon të jetë i dëmtuar mbrojtësi Entonio Pashaj, i cili vazhdon periudhën e rikuperimit, ndërsa në takimin e radhës në kampionat do të mungojë Ylli Shameti për shkak të ndëshkimit me karton të verdhë ndaj Vllaznisë.
Fakt i rëndësishëm është rikthimi i Felipe Moreiras, i cili nga dita në ditë po tregon formë të mirë fizike. Stafi do të vendosë ta provojë në sfidën kundër Dinamos në Kupë dhe nëe kalon provën, pritet që të jetë titullar edhe në kampionat.