Pushimi i kampionatit erdhi në momentin e duhur për Flamurtarin i cili vuante nga dëmtimet dhe nga rezultatet e dobëta në dy ndeshjet e fundit. Pas pauzës vijon sfida me Tiranën në Vlorë dhe pritet të ketë tre rikthime të mëdha për ekipin e Ilir Dajës.
Rikthehet Albi Alla që ka munguar disa javë rresht dhe ështe një nga lojtarët e rëndësishëm të vlonjatëve. Gjasat janë që të rikthehet në stërvitje me grupin dhe Kristian Sirgi por, me maskë pas ndërhyrjes që bëri në hundë pas ndeshjes me Kastriotin. Ndersa pritet që Argjend Mustafa të jetë gati të përballet me ish-ekipin e tij që nuk arriti të luante kurrë. Ilir Daja me këto rikthime mund të jetë më i qetë pasi ka më shumë mundësi zgjedhje për lojtarët që do të hedhi në fushë.