Sulejman Starova shpërthen kundër Shpëtim Duros. Ky i fundit pas sfidës Flamurtari-Partizani 1-1 u shpreh se ankesat e Starovës i dëgjon javë pas jave dhe se e keqja e të kuqve është fakti se nuk merren me lojën në fushën e blertë, por me gjëra dytësore.
Për “Panorama Sport”, Starova ka reaguar ashpër, madje duke u shprehur se Shpëtim Duro, shoku i tij i ngushtë, tashmë nuk jeton më, pasi është transformuar. “Është histori e mbyllur me atë. Ai ka shkuar në Vlorë me miqësi dhe jo me CV. Shpresoj që ai të qëndrojë gjatë në Vlorë që të mos e kemi Flamurtarin konkurrent.
Flamurtari do ta qajë ish-trajnerin Mezani. Sapo unë kam ardhur në krye të stolit i kam mposhtur të gjitha skuadrat, përfshi edhe trajnerin aktual të Flamurtarit, të cilit as nuk dua t’ia përmend emrin.
Shpëtim Duro, shoku im i ngushtë nuk jeton më. Ai është transformuar në një njeri tjetër për shkak të karrierës”, shprehet trajneri i Partizanit, Sulejman Starova.