Humbja e parë në kampionat e Vllaznisë ka alarmuar menjëherë trajnerin Armando Cungu, i cili në media pas përfundimit të ndeshjes ka folur me tone të ashpëra dhe ka pohuar se kjo gjë do të vazhdojë në një mbledhje të jashtëzakonshme që do të bëhet për të analizuar lojën dhe humbjen e bërë në Korçë.
“U thash që nuk arrij që të kuptoj mënyrën e lojës. Sesi kishin hyrë në fushë. Për këtë arsye jam i zhgënjyer dhe kërkoj shkaqet e kësaj humbjeje. Nuk është fundi i botës të humbasësh në Korçë ndaj ekipit kampion. Reagimi i lojtarëve është i pakuptueshëm. Kërkoj mbledhje urgjente me ekipin. Përpara se të bëj analizë me lojtarët, i bëj analizë vetes, marr përsipër përgjegjësitë e mia. Mos të fitosh një dyluftim, mos të vraposh, është shqetësuese për mua si trajner. U thash në dhomat e zhveshjes që të luanin futboll. Lojtarë që nuk ekzistonin në fushën e lojës. Nuk mund të zëvendësoja 11 lojtarë”.
“Sulmuesi i mungon Vllaznisë. E kam kërkuar Xhejmsin në verë, por Vllaznisë nuk i mungon vetëm ky lojtar, por shumë si Xhejms. Pas një fitoreje plasin gazetat e televizionet, por pas një humbjeje, të bën të ndryshosh rrënjësisht. E shoh shumë larg këtë skuadër dhe kjo më shqetëson”.
“Do të ishte një ndeshje në ambient të ngrohtë po të luhej në Shkodër. Do të ishte mjaft mirë po ta luanim atje. Unë jam trajner dhe nuk vendos unë, por nuk e shoh si shqetësim kaq të madh ndërrimin e fushës. Nëse je sportist i fokusuar, nuk përbën problem ndeshja në fushën tënde apo jashtë. Ne kemi treguar se kur kemi qenë të fokusuar, kemi marrë rezultate të mira edhe jashtë fushës tonë”.
“Futbollistët stërviten gjatë gjithë javës. Garantoj punën time dhe nuk mund të garantoj të tjerët. Kam lojtarë me karakter të mirë, por realisht nuk kemi përqendrimin e duhur apo përgjegjësinë e duhur për të marrë përsipër një skuadër të niveleve të tjera. Është e vështirë të ndryshoj mentalitetin e kësaj skuadre që në pesë vitet e fundit kanë parë veten vetëm në fundin e tabelës”.