Shkëndija e Tetovës është vënë prej disa kohësh në lëvizje për të gjetur një sulmues si zëvendësues për ish-kapitenin Ferhan Hasani të larguar.
Tetovarët kanë vënë në “shënjestër” pikërisht lojtarin e Luftëtarit Eduart Rroca, i cili mund të luajë në disa pozicione në repartin e avancuar dhe mesfushë. Gjithsesi kampionët e Maqedonisë duhet të bëjnë mirë llogaritë, me gjirokastritët që nuk kanë ndërmend të lëshojnë 24-vjeçarin pa një ofertë joshëse.
Sipas informacioneve drejtuesit e Luftëtarit e konsiderojnë Rrocën si një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, dhe nuk do të pranojnë asnjë ofertë për të nën 100 mijë Euro, ndërkohë që vlera e tij në treg sipas përllogaritjeve arrin deri në 290 mijë Euro.
Rroca aktualisht është i dëmtuar dhe nuk do të jetë pjesë e ndeshjeve kundër Ventspils në Europa League për gjirokastritët, kështu që një transferim i tij te Shkëndija do t’i jepte mundësinë të aktivizohej me të në kupat e Europës.