Shkëndija do të ndeshet ditën e nesërme me Nju Saints, kampionin e Uellsit për ndeshjen e parë kualifikuese në Champions League.
Për këtë ka folur sot dhe trajneri i tetovarëve Qatip Osmani në konferencën e zakonshme një ditë përpara ndeshjes. Numri një i kuqezinjve është shprehur i bindur se faza përgatitore i ka bërë mirë ekipit por shprehet se ndeshja nuk do të jetë fare e lehtë. “Rezultatet që kemi bërë gjatë fazës përgatitore na japin shpresë se Shkëndija është e gatshme për këtë ndeshje. Sigurisht se nuk do të jetë e lehtë, përballë një kundërshtari që luan rregullisht në Europë dhe ka përvojë të ndeshjeve të tilla. Gabim është që na shikojnë si favorit, pasi edhe në vetë hedhjen e shortit ne ishim në vazon e jofavoritëve”, është shprehur trajneri Osmani.
Ai ka shtuar se nga analiza që i është bërë kundërshtarëve ata mbyllen shumë në mbrojtje në momente të caktuara prandaj është e rëndësishme që t’i kushtohet rëndësi maksimale sfidës. “E rëndësishme është që të shënojmë dhe të mos pësojmë gol në fushën tonë”, ka shtuar më tej tekniku i kampionëve të Maqedonisë.