Sherri i dy ditëve më parë në ndeshjen Skënderbeu-Partizani në qytetin e Korçës padyshim që shokoi të gjithë opinionin publik dhe la një shije të hidhur në nisje të kampionatit.
Megjithatë duket se policia nuk do ta lë me kaq këtë çështje, me uniformat blu që kanë lajmëruar për arrestime në ditët në vijim dhe procedime penale për përgjegjësit. Në një njoftim zyrtar lajmërohet se Policia e Korçës në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë ka nisur procedimin penal dhe zbardhjen e ngjarjes së të premtes për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Sipas Kodit Penal tifozët që hynë në fushë dhe sulmuan tribunat kundërshtare pritet të përballen me akuzat e mëposhtme: Plagosje e lehtë me dashje, parashikuar nga neni 89 dhe që dënohet nga gjobë deri në 2 vjet burg; shkatërrim prone, parashikuar nga neni 150 dhe që dënohet me gjobë ose burgim deri në tre vjet; si dhe prishje të qetësisë publike, parashikuar nga neni 274 dhe që dënohet me gjobë ose burg deri në 2 vjet.