Derbi i kryeqytetit po afron, ndërsa të gjithë të apasionuarit e kësaj përballjeje po numërojnë orët mbrapsht për të parë sfidën më të zjarrtë të kampionatit shqiptar. Partizani – Tirana, sfida që do të luhet në “Elbasan Arena” nuk ka vetëm fansa vetëm tifozë, por edhe futbollistë, të cilët më parë e kanë veshur dhe mund ta riveshin këtë fanellë.
Bëhet fjalë për Xhevahir Sukajn dhe Elis Bakajn. Të dy lojtarët, së bashku kanë shënuar 6 gola në derbet që janë zhvilluar gjatë sezoneve të fundit, ndërsa njëri ndodhet në Malajzinë e largët dhe tjetri në Kroaci.
Bakaj është në radhët e RNK Split, ku po kalon periudhë të mirë, teksa nuk e harron Tiranën, edhe pse është lojtar i dalë nga Partizani. “Jam krenar që kam qenë pjesë e derbit në dy vitet e fundit. Shokët e mi te Tirana t’ia dalin me fitore në këtë derbi”, thotë Elis Bakaj.
Ndërsa nga Malajzia, Xhevahir Sukaj bën edhe parashikimin e rezultatit dhe autorin e golit. “Partizani duhet që të fitojë këtë ndeshje. Partizani – Tirana përfundon 1-0. Golin e shënon Trashi”, shprehet shkodrani.