Realdo Fili shënoi golin e tij të parë në një kompeticion Europian në karrierën e tij, duke vërtetuar se po kalon një formë të mirë te Partizani. Fieraku shënoi në minutën e 48-të një super-gol, por pak minuta më vonë bëri një veprim të saktë dhe arriti të dalë përballë portës, por pa mundur që të shënojë golin e dytë, i cili mund të kishte mbyllur dhe kualifikimin e të kuqve.
Por, tashmë rezultati është tjetër, rezultat që rëndon shumë mbi fierakun që mbetet pa fjalë për rastin e humbur dhe se shifrat për ndeshjen e kthimit janë të barabarta.
“Është e papërshkrueshme ndjenja e shënimit të golit të parë me Partizanin në Champions League. Ndjenjë e veçantë! E kisha imagjinuar, por nuk e dija sesi do të ishte. Sot e provova vërtetë dhe ndjehem shumë mirë. Nuk arrita që të shënoj, më vjen shumë keq dhe do punoj për. Do të punoj që këtë gabim ta korrigjoj”, thotë fillimisht 20-vjeçari.
“Do të luajmë për të fituar dhe do të vendosim në fushë të gjitha forcat për të kaluar më tej”, theksoi Fili për ndeshjen e kthimit, ku Partizanit i hyn në punë vetëm fitorja që të kualifikohet direkt për në raundin e tretë të Champions League.