Klubi i Kukësit po kalon një moment pozitiv në aspektin financiar pas shitjes së Sindrit Gurit në Belgjikë te Ostende. Verilindorët mbushën arkat e klubit me plot 700 mijë euro, ndërsa tashmë presidenti Safet Gjici kërkon që politika të tilla të zgjerohen.
Në një prononcim të dhënë për Report Tv , kreu i klubi kuksian ka folur fillimisht për sulmuesin shkodran, ndërsa më pas është ndalur te shkarkimi i menaxherit Naim Halili. Ai ka treguar arsyet se pse ka vendosur që “krahu i djathtë” i tij të mos jetë më në shërbim të klubit.
“Unë kam pasur shumë oferta edhe nga klube shumë të mëdha, si Dinamo e Zagreb-it, apo ekipe të Serie A italiane, pasi siç e dini Guri ka edhe pasaportën italiane edhe është një plus për këtë lojtar edhe për klubin. Kjo ishte edhe arsyeja që ne bëmë një transferim me shifra të tilla. Ndoshta nga Oostende do transferohet në ndonjë klub tjetër me një çmim më të madh, por unë i uroj sukses Guri për atë që ka dhënë dhe i uroj suksese tek Oostende“, ka thënë fillimisht Gjici.
I pyetur më pas për çështjen “Halili”, Gjici nuk ka ngurruar, por ka folur pa doreza teksa ka deklaruar: “Menaxherin Halili, e kam marrë më shumë, jo se ka pasur ndonjë dijeni për fushën që ka mbuluar, e kam marrë si kuksian. Ka qenë krahu im i djathtë deri diku në aspektin e menaxhimit, por me thënë të drejtën më ka zhgënjyer në disa menaxhime që nuk ka pasur as autoritetin, as përvojën as nuk ka qenë i aftë për t’i menaxhuar.
Nuk ka qenë marrë shumë me klubin, ka pasur kritika herë pas here edhe në takimet që unë kam bërë me stafin. Ai nuk e ka zbaruar atë që i kam thënë unë, është marrë me disa punë të tjera që nuk kanë lidhje me klubin. Erdhi vendim im që të vijë dikush tjetër, që të vijë dikush që e njeh më mirë tregun e lojtarëve, brenda dhe jashtë vendit. Shkumbini është një nga ata, që e tregoi veten në transfertën e parë që bëri me Gurin.
Do ta kemi në çdo lojtar që do të ketë premisa për të shkuar lart. Do rritim stafin, në futboll nuk merret: “hajt se ky është kuksian dhe ta marrin në menaxhim”. Duhet parë nëse bën apo nuk bën për punën. Ka ardhur koha që ne t’i japim prioritet edhe stafeve. Ne kemi marrë ‘timonierin’ e ekipit, që është trajneri Pacult, një trajner me përvojë, korrekt dhe me disiplinë. Ai do patjetër edhe stafin që të bashkëpunojnë ashtu siç ka linjën e vet të korrektësisë dhe disiplinës. Ndoshta Naimi nuk iu përgjigj kësaj disipline dhe kërkese llogarie, dhe për rrjedhojë morën edhe vendimin për ta larguar nga klubi“, përfundoi ai.