E donte me çdo kusht kualifikimin e Kukësit për në turin tjetër dhe për këtë qëllim vuri edhe një shpërblim goxha të madh. Dhe Kukësi i tij e ka arritur objektivin në ndeshjen me Rudarin, duke fituar 0-1 me gol të Gurit. Për “Panorama Sport”, presidenti i veriorëve tregon pse skuadra e tij ka sukses në Europë dhe thumbon njëkohësisht edhe kolegët e tij të skuadrave të tjera shqiptare. “Nuk stepemi nga një kundërshtar si Austria e Vjenës. Mendojmë kualifikimin sërish, pasi Kukësi e ka treguar se, kur kalon turin e parë, kalon edhe të dytin në Europë. Ne do të ecim përpara, sepse luajmë futboll të pastër dhe shikojmë punët tona. Në turin e dytë lojtarët zhvishen nga emocionet dhe nuk kanë shumë presion”, – ka thënë mes të tjerash presidenti i Kukësit.
Kjo deklaratë e tij është një ngacmim në distancë për presidentët e tjerë, skuadrat e të cilëve degjenerohen në Kupat e Europës, duke pësuar një mal me gola. Modeli i Kukësit dhe presidentit Safet Gjici është ai që duhet ndjekur.