Barazimi javën e kaluar me Teutën theu “akullin” e rezultateve zhgënjyese në seri të Skënderbeut. Mesfushori i bardhekuqve Nazmi Gripshi ishte njeriu që riktheu në jetë kampionët në fuqi pas një periudhë të gjatë katastrofale në rezultate duke siguruar një pikë me vlera në ndeshjen me Teutën 2-2 me golin e tij në sekondat e fundit të takimit.
Duke qenë se “Ujqërit e Dëborës” janë “pushim” ditën e nesërme pasi janë kualifikuar automatikisht në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë pas përjashtimit të Kamzës nga të gjitha aktivitetet futbollistike, ekipi vazhdon përgatitjet për takimin e rëndësishëm me Kukësin në shtëpi.
Në një prononcim për “RTSH Sport”, Gripshi thekson se ndaj verilindorëve kërkohet vetëm fitorja. Ai shpreson që Bregu të jetë në gadishmëri për të luajtur ndaj nënkampionëve të Shqipërisë.
“Kualifikimi ‘dhuratë’ prej përjashtimit të Kamzës?Besoj se na favorizon, sepse nuk do të na marrë minuta lojë. Besoj do të jemi më të freskët për sfidën e Kukësit në fundjavë. Është opsion më i mrië se me dy ndeshje mund të arrish në kupat e Europës.
Mungesat e Ditës, Abazit, Bregut dhe Pëllumbit? Besoj janë të gjithë të gatshëm. Nuk e di gjendjen e Abazit, sepse nuk ka qenë në stërvitje. Shpresoj të na kthehet dhe Bregu dhe të jemi të gatshëm përballë Kukësit.
Rëndësia e takimit me Kukësin?Me Kukësin shpresojmë të japim më të mirën. Do të bëjmë atë çfarë na kërkon trajneri dhe shpresojmë të dalim me sukses. Besoj se te mënyra e lojës do të jemi më të përqëndruar në fazën e mbrojtjes. Shpresojmë të shënojmë dhe të fitojmë ndeshjen.
Fati i klubit në dorën e CAS-it?Me Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) merren drejtuesit. Përderisa ata nuk kanë dhënë përgjigje përfundimtare, ne duhet të mendojmë për fushën e lojës”, u shpreh për “RTSH Sport” mesfushori me tipare sulmuese Nazmi Gripshi.
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.