Armando Duka ka zbuluar disa detaje nga jeta e tij private dhe ajo profesionale në një rrëfim ndryshe që ai ka dhënë në emisionin “Pushime on Top”. Kreu i FSHF-së ka folur për dëshirën e madhe që ka për të shijuar detin, moment të cilin ai e cilëson relaksues dhe jo romanticitet.
Nuk kishte si të mos përmendej familja, e cila për Dukën është gjë e shenjtë. Ai ka theksuar, se nëse do kishte diplomë për sjelljen, do rezultonte ngelës në klasë, kjo për faktin se nuk mundet t’iu kushtojnë shumë për shkak të angazhimeve të mëdha që ka me detyrën në FSHF dhe sipërmarrjen.
“Na e konsiderojnë si favor kur iu kërkojmë unë dhe bashkëshortja të pushojnë me ne. Duan që të pushojnë vetë me miqtë e tyre. Ende se kemi vendosur si do jenë pushimet tona këtë vit”.
Ndër të tjera, kreu i FSHF-së, i cili është babai i një vajze dhe një djali ndihet disi në faj që nuk mundet t’iu kushtojë më shumë kohë fëmijëve të tij, të cilët janë në fazën e rritjes. Për këtë ai falenderon bashkëshorten e tij, Suelën që ka mundur të qëndrojë më pranë tyre.
Lidhur me preferencën e tij, nëse zgjedh të ikë jashtë apo të qëndrojë në Shqipëri për pushime, ai vendos të zgjedhë Shqipërinë.
Nuk kishte si të mos prekte dhe temën e rrjeteve sociale, për të cilat kreu i FSHF-së zbulon se ka hapur Instagram dhe se e menaxhon vetë këtë të fundit. “Kam hapur Instagram dhe e menaxhoj vetë. Jam munduar të mos hedhë foto personale me familjen apo jetën private, pasi nuk kam sukses me postime të jetës private”.
Duka ka folur edhe për sipërmarrjen, duke zbuluar momente nga fillimi i tij si biznesmen, duke kujtuar në këtë mënyrë milionin e parë i cili lidhet me vitin 1991, kohë kur gjithçka ishte informale. “Jeta është e pamjaftueshme që të të mësojë të korrigjosh gjithçka”, duke e lidhur këtë pjesë me dështimet në jetën e tij.
Duka nuk ka lënë pa komentuar dhe Kombëtaren, për të cilën presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit shprehet se kjo skuadër është në pikë kritike dhe se ai shpreson që gjithçka të kthehet shumë shpejt në nivele të larta. Në këtë moment, Duka ka komentuar dhe votën që ai i ka dhënë Marokut për Botërorin 2016.
“Nuk kam votuar kundër SHBA. Dua të them që vendet e mëdha dhe të zhvilluara kanë organizuar shumë kupa bote, për shembull, Europa ka zhvilluar 8 të tilla. Afrika i ka dhënë shumë futbollist të mirë kësaj loje dhe mendoj se duhet ta kishin mundësinë që pse jo të bëhej një kampionat në Marok”.
Në fund, fjala e kreut të FSHF-së ka qenë lidhur me largimin nga drejtimi i këtij institucioni për të cilën thotë se do të ketë një ditë kur ai do të largohet, por nuk ka një datë lidhur me këtë gjë. Duka mohon lidhjen me politikën, por lë rrugën e hapur për të ardhmen, duke u shprehur: “kurrë mos thuaj kurrë”.