Muay Thai nuk është një disiplinë e njohur luftimi në Shqipëri, por ka vend për njohje. Në qytetin e Durrësit, ditën e shtunë dhe të dielë organizohet një “minikampionat miqësor” midis 8 përfaqësuesve nga kontinenti i Europës dhe Gadishulli i Ballkanit për të prezantuar për publikun e qytetit vlerat e këtij sporti. Kjo është iniciativë e kampionit të Europës Ervis Bici me kampionin e botës nga Tajlanda Sak Kaoponlek, të cilët kanë dhënë një intervistë për kanalin “in TV” ku folën për vlerat e këtij sporti dhe synimin për ta familjarizuar me shoqërinë shqiptare.
“Ëndrra imë nuk është që vetëm të jem kampion, por kulturën e Muay Thai ta sjell edhe në Shqipëri. Sporti i Muay Thai ka disiplinë shumë të rreptë dhe unë mendoj se rinia shqiptare ka shumë energji kjo kulturë tajlandeze të përhapet edhe në Shqipëri”, deklaroi Bici.
Ndërsa 7 herë kampioni i botës në Muay Thau Sak Kaoponlek shprehu dëshirën e tij për ta popullarizuar këtë sport edhe në vendin tonë duke vlerësuar kulturën dhe respektin e shqiptarëve.
“Kam dëshirë që të njihet ky sport tajlandez edhe në Shqipëri. Sepse gjeja e parë që kam ndjerë tek shqiptarët ka qenë respekti. Kjo është themelore; kulture dhe respekt. Muay Thai është një sport nacional dhe ka një përhapje të gjerë. Ka shumë shumë femra që e praktikojnë, madje shpesh femrat janë më shumë në numër se sa meshkujt”, u shpreh 7-herë kampioni i botës Kaoponlek.
Mënyra se si zhvillohet ky sport në Europë dhe Tajlandë ka ndryshime të mëdha. Një takim në Europë luhet me 5 raunde, kurse në Tajlandë me 3. Interesant është fakti që shumë femra tajlandeze marrin pjesë në mënyrë aktive në këtë sport.