Nga Redaksia Newsport
Është padyshim ndeshja më e kërkuar e të gjithë kampionatit. Për fat luhet katër herë gjatë një seosni dhe gjithmonë sjell përjetime të ndryshme, incidente, tension dhe polemika. Për herë të parë në historinë 70-vjeçarë të derbit Partizani – Tirana, ky takim nuk u luajt në kryeqytet. Në pamundësi për tu zhvilluar në “Qemal Stafan” e rrënuar, ndeshja u transferua në Elbasan. Tirana ka mbyllur dyert për Partizanin, ndërkohë që të kuqtë vijojnë punimet për stadiumin e tyre në periferi të kryeqytetit.
Derbi u degdis në Elbasan. Aspak i bukur për tu përjetuar nëse do të krahasohet me një sezon më parë. Autobusë dhe makina pafund u nisën nga kreyqyteti por emocionet nuk ishin njësoj. Të gjithë në stadium përjetuan një ndeshje ndryshe, jo të ngjashme me çfarë janë mësuar. Tribuna qëndrore ofronte një tifozeri të miksuar, më të qetë se në takimet e shkuara ndërkohë që tribuna përballë ishte thuajse e zhveshur nga tifozët. Sektorët pas porte ishin pjesa më e bukur e stadiumit por sërish ishte pak për të sjellë derbin në nivelet e pritshmërisë.
Vetëm 6 mijë bileta të shitura tregojnë se për herë të parë në vitet e fundit, numri i tifozëve të pranishëm është përgjysmuar. Shumë kishin zgjedhur ekranin e televizorit për të parë ndeshjen dhe qyteti nuk frymoi siç zakonisht bën në të tilla takime.
Derbi meriton të rikthehet shpejt në kryeqytet për të patur të njëjtën shije, për të sjellë të njëjtët tifozë, për tu parë dhe përjetuar fort e me emocione të forta, siç e ka traditë ky takim.