Trajneri i U-21 në Kosovë, Rafet Prekazi ka folur dje në një lidhje të drejtpërdretjë për Supersport, ku është shprehur se talentet në Kosovë janë më të lartë në numër, ndaj ecuria ka qenë më e mirë, bazuar në ndeshjet e fundit që janë zhvilluar.
Prekazi është shprehur se në Kosovë ka më shumë talente se në Shqipëri, duke specifikuar se aktulisht ka 40 lojtarë të ditëlindjes 98-99, që luajnë në akademitë e Bajernit, në Milano, apo shumë të tjera me emër në Europë.
“Lojtarët e Kosovës prej vitesh kanë luajtur në nivele të larta dhe këtu i referohem Vokrrit, Prekazit, etj. Kosova është realisht toka e talenteve dhe ka shumë lojtarë që mund të bëjnë emër në futboll. Te ne futbolli ende luhet nëpër rrugë, pasi nuk ka kushte, por për t’u përmirësuar duhet shumë punë. Gjithsesi, Kosovë apo Shqipëri, jemi të gjithë shqiptarë dhe nuk duhet t’i mëshojmë të tilla dallimeve. Duhet të jemi të vetëdijshëm që të punojmë me të rinjtë, sepse koha punon dhe duhet të shumë punë dhe angazhim për të garuar në Europë.
Tani po bashkëpunoj edhe me trajnerët shqiptarë, që janë trajnerë në Vala Superligë. Sa i përket lojtarëve, mendoj që Kosova ka më shumë lojtarë që luajnë në akademi mjaft prestigjioze të botës. Personalisht, kam mbi 40 lojtarë të ditëlindjes 98-99, që luajnë në akademitë e Bajernit, në Milano, apo shumë të tjera me emër në Europë. Gjithsesi nuk duhet të ekzistojnë ndasitë, pasi jemi të gjithë shqiptarë.
Duhet punuar shumë me futbollistët. Nëse do të futesha në detaje teknike, ne duhet të përgatisim lojtarë mbrojtës, pasi kjo është pikë e dobët jo vetëm për ne, por edhe Kombëtaren e Shqipërisë. Futbolli fillon nga mbrojtja dhe nëse nuk ke lojtarë teknikë aty mbrapa, nuk mund të organizosh lojën. Ne si shqiptarë jemi gjaknxehtë dhe dimë të nxjerrim në pah grintën, por nuk mund të garohet vetëm me grintë, pasi duhet vënë në punë edhe cilësia.
Unë mund t’ju them me bindje se nëse një lojtar ka sadopak talent dhe mendon të përfaqësojë Shqipërinë, askush nga ne nuk tenton t’i ndryshojë mendjen. Së fundi unë ftova Sahitin, por më tha se do shkonte te Shqipëria dhe i urova shumë fat. Lojtarët mund të zgjedhin kë të duan, sepse të dyja janë skuadra shqiptare”.