Ish-futbollisti i Kamzës Ognjen Rolovic është në kërkim të një aventure të re. Pas shtatë muajsh qëndrim me ekipin kamzali, sulmuesi malazez rrëfeu se largimi i tij nga ekipi i Kategorisë Superiore nuk kishte të bënte me mbipopullimin e repartit sulmues pas ardhjes së meksikanit David Izazola. Në një prononcim për Newsport, 25-vjeçari pranoi se është në pritje të ofertave nga klube të huaja. Dëshira e tij është që luajë larg rajonit të Ballkanit.
” Arsyeja e largimit? Ende po pres për disa oferta. Por largimi im nga Kamza nuk ka patur me ardhjen e lojtarëve të rinj, sepse unë e mora vendimim bashkë me klubin përpara se të vinte lojtari i ri (David Izazola).
Destinacioni i ardhshëm? Të shohim, por dua të luaj larg Ballkanit.
Përshtypja për Kamzën dhe futbollin shqiptar? Kam të njëtin opinion për të gjithë Ballkanin, jo vetëm për Shqipërinë dhe vendlindjen time (Malin e Zi). Duhet të përmirësojmë shumë mentalitetin, sepse ndodhemi në këtë gjendje që jemi.
A do të arrijë Kamza t’i shpëtojë rënies nga Kategoria Superiore? Mendoj se do t’ia dalin”, përfundon lojtari malazez.
Rolovic u aktivizua në 16 takime me Kamzën në edicionin aktual të kampionatit shqiptar duke realizuar 2 gola.