Joao Mario mund të jetë futbollisti më i ri i Interit. Mesfushori i Portugalisë është afër kalimit të tij te zikaltërit e Milanos. Paraqitja e mrekullueshme që bëri në Euro 2016 ka bërë që drejtuesit e Interit të bëjnë ofertën e tyre për të përfituar shërbimet e tij.
Sipas “O JOGO”, Sporting ka hequr dorë nga klauzola e lojtarit që është 60 milionë euro, duke pranuar ofertën e klubit italian prej 45 milionë eurove plus 5 të tjera bonuse dhe se gjithçka mund të finalizohet ditëve në vazhdim.
Por ky transferim mund të sjellë largimin e Marcelo Brozoviç. Sipas “Corriere dello Sport”, afrimi në skuadër i Joao Marios, nuk përjashton mundësin e largimit të kroatit nga skuadra zikaltër pasi të dy lojtarët kanë karakteristika të njëjta, dhe asnjëri nuk e pranon stolin. Kështu që me shumë gjasa Brozoviç do të largohet drejt Anglisë.