Fidan Aliti, mbrojtësi i Skënderbeut, flitet prej kohësh se do të jetë e shkuara e klubit korçar, pasi do të shkonte në një kampionat tjetër. Por, ai në një prononcim për mikrofonin e “Rtsh-Sport”, ka turbulluar disi ujërat me ato që ka thënë mbi largimin nga skuadra.
Ai ka pohuar: “Katër humbje janë diçka e madhe për Skënderbeun. Nuk jemi të kënaqur me ndeshjet e fundit. Kemi diskutuar të gjithë bashkë dhe do të provojmë t’i bëjmë mirë gjërat që kemi bërë gabim në muajin e fundit.
“Kam kontratë deri në fund të sezonit me Skënderbeun. Kemi biseduar me disa ekipe, por nuk është detyra ime të komentoj këto gjëra. Jam i përqendruar 100% këtu. Dy fazat e mbetura do të na ndihmojnë të ngrihemi aty ku e meriton Skënderbeu, ku e meritojmë të jemi ne. Do të japim maksimumin që ta bëjmë këtë gjë”.