Viron Bezhani ka falënderuar zyrën rajonale të antidopingut të Europës Lindore, pasi kjo e fundit ka zgjedhur Shqipërinë për të zhvilluar një takim për këtë problem të madh që ka penalizuar sportistët herë pas here. Përmes një deklarate për të ftuarit, presidenti i Komitetit Olimpik u shpreh:
“Të nderuar miq e të ftuar
Ju falënderoj që keni zgjedhur Shqipërinë për të zhvilluar këtë takim të radhës së zyrës rajonale të antidopingut të Europës Lindore. Një fakt që do të thotë shumë për Shqipërinë, pasi e kemi vlerësuar shumë ndihmën që ju i keni dhënë vendit tonë në luftën ndaj këtij fenomeni. Sot dopingu është bërë shumë shqetësues në sport, por po kaq e fortë ka qenë edhe lufta që të gjitha institucionet po bëjnë për ta mundur atë. Të gjithë duam një sport të pastër, pa doping dhe të ndershëm, ndaj dhe këto takime janë të rëndësishme për të dhënë një mesazh të qartë se kushdo që do të mashtrojë do të kapet dhe dënohet. Përmes këtyre takimeve mësojmë më shumë nga njëri-tjetri, tregojmë se jemi të bashkuar në luftën ndaj dopingut.
Fenomeni doping po tenton gjithnjë e më shumë të dëmtojë sportin në mënyra të ndryshme, por në çdo kohë dhe me çdo mënyrë ne jemi gati ta luftojmë atë. Fakti që ËADA po ribën testet e Olimpiadave dhe po zbulon ata që kanë mashtruar, konfirmon se “gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra” dhe se të gjithë do të kalojnë në sitën e antidopingut, në çdo kohë. Shqipëria është në krah të frontit që lufton dopingun, duke pranuar kodin antidoping të ËADA dhe mbështetur çdo nismë që lufton këtë fenomen. Ndërkohë që edhe investimet në antidoping si dhe në promovimin e sportit të pastër po rriten, duke e luftuar këtë fenomen që në qelizë.
Lëvizja olimpike e udhëhequr nga KOKSH e ka vendosur luftën ndaj dopingut për një sport një pastër si prioritet, madje duke e përcaktuar në axhendën Olimpike 2020. KOKSH e vlerëson shumë luftën që antidopingu shqiptar, por edhe ai rajonal, që na asiston, ka bërë për të eliminuar këtë fenomen. Puna e bërë ka qenë efikase dhe po orientohet ashtu si duhet drejt një sporti të pastër, ku të gjithë janë të barabartë. Dhe kjo është për meritën tuaj të nderuar të pranishëm, që jeni treguar të gatshëm për të na ndihmuar dhe asistuar në këtë betejë të vështirë dhe të vazhdueshme. Të vetëm ndoshta nuk mund ta luftojmë dhe të fitojmë ndaj këtij fenomeni, por së bashku po dhe ky seminar do të na ndihmojë edhe më shumë në këtë drejtim.
Ju falënderoj sërish për këtë nismë dhe ju uroj suksese”, përfundoi ai.