Afrim Taku u përjashtua dy ditë më parë nga stërvitja e Tiranës me urdhër të trajnerit Mirel Josa pas debatit mes tyre.
Por, “bomberi” i këtij sezoni për bardheblutë nuk është i vetmi që ka marrë masë disiplinore nga ana e trajnerëve që kanë drejtuar ekipin kryeqytetas në vitet e fundit.
Kujtojmë se në 2015-ën, portieri Stivi Frashëri u pezullua 3 muaj pas akuzave që lëshoi në rrjetet sociale për drejtuesit e klubit, trajnerin Magani dhe tifozët bardheblu.
Erion Dushku gjithashtu u bë “shembull” një vit më parë. Mbrojtësi lezhjan pati një konflikt fizik me fizioterapistin e skuadrës në fazën përgatitore dhe Shkëlqim Muça, në atë kohë trajneri i Tiranës e përjashtoi nga skuadra. Dushku nuk u kthye më, duke u larguar drejt SHBA-ve, ndërsa aventura me bardheblutë zgjati vetëm 22 ditë.
Më herët, në 2009-ën, edhe ish-sulmuesi Migen Memelli u pezullua nga trajneri Alban Tafaj, pasi nuk kishte zbatuar detyrat taktike të numrit 1 të stolit të Tiranës. Ish-portieri Klajdi Kuka gjithashtu u përjashtua nga skuadra në 2013-ën pas përplasjes fizike që pati me trajnerin Alban Tafaj gjatë një seance stërvitore.