Ilir Daja është zyrtarizuar si trajneri i ri i Flamurtarit. Trajneri i njohur kryeqytetas ka arritur marrëveshjen me drejtuesit vlonjatë për të qenë në krye të pankinës kuqezi për sezonin e ri. Të gjithë prisnin që ai të vijonte në Korçë, por aludimet e ditëve të fundit kanë rezultuar të vërteta. Por çfarë ndodhi me trajnerin Ilir Daja? Neësport ka mësuar prapaskenat e lëvizjes së teknikut të njohur drejt Flamurtarit. Në ditën e vendimit të CAS-it ku u refuzua pjesëmarrja e Skënderbeut në Europë, Ilir Daja ka qenë në Vlorë ku ka pasur një takim me presidentin Sinan Idrizi. I kontaktuar asokohe nga neësport, ai deklaroi se nuk ka vendosur asgjë pasi fillimisht do të flasë me drejtuesit korçarë.
Ndërsa në Korçë të gjithë kanë mbetur të habitur nga emërimi i Dajës në krye të pankinës vlonjate. Askush nuk e kishte pritur pasi sipas asaj që ka mësuar neësport.al në klubin e Skënderbeut e prisnin për të kthyer një përgjigje. Ata kishin bërë një ofertë në drejtim të tij dhe të hënën do të takoheshin për të vendosur për të ardhmen. Por, tekniku kryeqytetas fillimisht ka arritur marrëveshjen në Vlorë për të qenë pjesë e Flamurtarit. Disi zhgënjyese kjo për drejtuesit e Skënderbeut të cilët prisnin një përgjigje, e cila do të kthehej deri të hënën. Megjithatë tashmë është fakt që Ilir Daja nuk do të jetë më në krye të Skënderbeut. Pritet me interes të mësohet zëvendësuesi i tij, ndërsa në Korçë kanë nisur të përflitet emri i Orges Shehit si trajneri i sezonit të ri. /Newsport.al/