Renato Arapi mund të konsiderohet “De Facto” lojtar i skuadrës së Teutës. Qendërmbrojtësi durrsak është përfolur shumë këto ditë merkatoje për një kalim të mundshëm te Partizani. Por, gjithçka mbetet në kuadrin e thashethemeve pasi shtatlarti ka vendosur përfundimisht për të ardhmen e tij.
Burime për newsport.al bëjnë me dije që 32-vjeçari ka arritur marrëveshjen që në muajin dhjetor me skuadrën e Teutës. Pas një bisede me trajnerin Bledi Shkëmbi dhe një akordi me presidentin Edmond Hasanbelliu, lojtari durrsak është bindur që të nisë një aventurë të re me “Djemtë e Detit”.
Gjithçka është e mbyllur, pritet vetëm zyrtarizimi nga ana e klubit të Teutës. Ai ka për të përfunduar disa procedura me turqit e Afjet Afyonspor, ku përfshihet edhe çështja e disa rrogave të pamarra. Ndaj, momentalisht klubi durrsak s’mund ta zyrtarizojë pasi mund të prishet punë në marrëveshjen që Arapi ka me skuadrën e Afjet Afyonspor. /Newsport.al/