Alban Hoxha beson te fitorja dhe kualifikimi kundër Ferencvarosh. “Gardiani” i të kuqve pak minuta para nisjes drejt Budapestit ka folur për takimin e shkuar dhe atë që do të luhet nesër në mbrëmje.
“Edhe ndeshjen e parë hymë për ta fituar. Treguam se dimë të luajmë si të barabartë me kundërshtarët, pavarësisht se përpara lojës na i kishin bërë këtë si një ekip të pakalueshëm”.
“Mund të kishim shënuar golin e avantazhit 2-0 dhe të mbyllnim lojën, por fati nuk ishte me ne. Shpresoj që fati të jetë në Hungari dhe të kualifikohemi atje. Ne do të besojmë deri në minutën e fundit, por në fund do të shohim çfarë do të ndodhë në fushën e lojës”.
“Fillimisht nuk duhet të pësojmë gol, duhet ta mbajmë rezultatin për sa më tepër minuta dhe në fund ndoshta me një gol të fitojmë. Unë kam besim se mund ta kalojmë këtë ndeshje edhe 0-1, unë kam shumë besim. Gjithsesi do të jetë shumë e vështirë, por ne do të japim maksimumin”.