Golat e Xhakës dhe Shaqirit i dhanë fitoren e çmuar kombëtares zvicerane kundër Serbisë, por në vendin alpin në vend që të flitet për këtë përmbysje, tema e ditës është festimi i dy lojtarëve.
Ndërkohë që serbët e kanë cilësuar si provokim të rëndë, e madje i kanë këshilluar zviceranët të reagojnë pasi sipas tyre kjo është një mungesë e pastër respekti ndaj tyre, politika në vendin “helvetik” mendon ndryshe.
Këshilltari federal Ignazio Kasis është shprehur se festimi është liri e shprehjes së gjithsecilit, mjafton që të bëhet me respekt dhe pa fyer askënd dhe sipas tij ky ishte pikërisht rasti i Xhakës dhe Shaqirit.
Nga ana tjetër ministri zviceran i sporteve Gaj Parmetin e justifikoi reagimin e dy lojtarëve me emocionet e ndeshjes. “Kush e ka përjetuar gjendjen e ngarkuar në stadium, vlerëson punën e jashtëzakonshme të Kombëtares Zvicerane dhe mund të kuptojë emocionet që përjeton një lojtar”, deklaroi ministri zviceran.