Nëse të gjithë po mendojnë për t’u larguar nga kombëtarja kuqezi, ka nga ata lojtarë që presin një ftesë nga Gianni De Biasi për të qenë pjesë e skuadrës për herë të parë apo për t’u rikthyer që të veshin fanellën e Shqipërisë.
Hysen Memolla është lojtari që ka nisur të shkëlqejë në kampionatin kroat me Hajduk Split. Në tre ndeshjet e para në kampionat ai i ka luajtur të gjitha ndeshjet, ndërsa sezonin e shkuar me NK Koper në Slloveni ishte një nga të preferuarit e formacionit. Memolla luan në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa është i gatshëm që të luajë për kuqezinjtë.
Djaloshi 24 vjeçar nga Kavaja është në pritje të një ftese nga Gianni De Biasi dhe e ndien veten të gatshëm për të përfaqësuar denjësisht fanellën kuqezi. Ashtu si Memolla ka edhe të tjerë futbollistë energjikë shqiptarë në skuadra të ndryshme në Europë që presin të thirren për ndeshjet e ardhshme. Por, duke qenë se skuadra po bëhet gati për takimet kundër Marokut dhe Maqedonisë, Memolla është i pari që e pret një ftesë.