Nuk ka qetësi te Çelsi. Edhe pse londinezët kanë bërë kthesën duke fituar dy ndeshje radhazi ai që “trazon” ambientin e “bluve” është Diego Kosta.
Sulmuesi spanjoll dhe trajneri i skuadrës, Antonio Konte nuk i kanë marrëdhëniet aspak të mira mes tyre.
Një gjë të tillë e vërtetoi edhe gjesti i Diego Kostës gjatë ndeshjes kundër Leiçester, kur sulmuesi i bëri me shenjë trajnerit italian për ta zëvendësuar nëse Kontes nuk i pëlqente loja e tij.
Por, nuk mbeti me kaq! Sipas prestigjiozes “Marca” zbulohet se sherri mes dy protagonistëve u zhvendos pas ndeshjes ndaj Leiçester në dhomat e zhveshjes, kur Konte dhe Kosta kanë pasur një përplasje të ashpër verbale mes njëri-tjetrit. Tashmë pritet të shihet nëse presidenti Abramoviç do të ndërhyjë për të shuar gjakrat, apo dy “sherrxhinjtë” do ta zgjidhin mes tyre këtë situatë të rëndë.