Një skandal i madh korrupsioni duket se po shpërthen në vendin fqinj përtej Adriatikut. Një numër prej 9 personash duke përfshirë dhe zyrtarë të lartë të Bashkisë së Romës janë vënë në pranga dhe shumë të tjerë janë nën hetim me akuzën e falsifikimit të dokumentave, me pasojë dëmin prej miliona eurosh të shkaktuara shtetit italian.
Çështja lidhet me ndërtimin e stadiumit të ri të ekipit të Romës në periferi të kryeqytetit italian, ku në projekt është menduar të përfshihet dhe ndërtimi i disa kullave të larta në zonën përreth impiantit, e kundërshtuar fortë kjo nga banorët.
Presidenti i klubit të Romës Xhejms Palota është shprehur se klubi nuk ka gisht fare në këtë pjesë dhe se çdo gjë prej tyre ka qenë plotësisht transparente. Ai shpreson që ky zhvillim të mos sjell bllokimin e projektit për të cilin klubi ka vite që punon.