Mesfushori i talentuar shqiptar që luan për Bayern Munich Meritan Shabani është në qendër të vëmendjes nga tekniku bavarez Niko Kovac. 19-vjeçari, që ka përfshirë në “betejë” Kosovën, Shqipërinë dhe Gjermaninë për të përfaqësuar në arenën ndërkombëtare, është përzgjedhur si njëri prej dy lojtarëve të rinj të akademisë së kampionëve të Gjermanisë për t’u stërvitur në Katar për pjesën e dytë të sezonit aktual.
Tekniku kroat Kovac e aktivizoi disa sekonda në fitoren e pastër ndaj Eintrachtit të Frankfurtit 3-0 dhe nuk ka lejuar drejtuesit të huazojnë shqiptarin e ri në një ekip të huaj për të marrë më tepër minuta dhe eksperiencë.
Shabani është grumbulluar dhe në Champions League në dy ndeshjet e fazës së grupeve ndaj AEK-ut të Athinës dhe Benfikës. Sinjale të tilla ngrenë dyshimet se Shabani në të ardhmen mund të bëhet pjesë e kontigjentit të plotë të Bayern Munich. Ai është futbollisti i dytë me origjinë shqiptare që ka veshur fanelën e bavarezëve pas Xherdan Shaqirit, i cili qëndroi në “Allianz Arena” për 3 vite (2012-2015).