Shorti i hedhur ditën e sotme për eliminatoret e Europa League e vuri Luftëtarin përballë ekipit letonez të Ventspils që drejtohet nga malazezi Dejan Vukiçeviç.
Në një prononcim pas hedhjes së shortit Vukiçeviç deklaroi se e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar por do të kërkojë padiskutim për më shumë informacion për ekipin gjirokastrit.
“Sigurisht që e ndoqëm me vëmendje shortin, Liga e Europës është një moment i rëndësishëm dhe interesant i sezonit, fansat e presin me padurim. Por për momentin nuk do të dëshiroja të bëja parashikime. Unë e njoh shumë mirë futbollin shqiptar, por është e qartë se do të kërkojmë informacione të tjera, do të studiojmë Luftëtarin në mënyrën më të kujdesshme të mundshme”, u shpreh malazezi.
Vukiçeviç është një trajner mjaft i njohur në vendin fqinj ndërkohë që ka drejtuar dhe ekipin e Vojvodinës në superligën serbe.