Mesfushori i Real Madridit Mateo Kovacic nuk e duron më qëndrimin në Spanjë. Pas spekulimeve të shumta që e lidhnin të ardhmen e tij në Angli me kampionët e Manchester City, një lajm i fundit ka nxjerrë në dritë një hipotezë të re. Sipas prestigjiozes spanjolle “MARCA” 24-vjeçari do të merret për një vit në formë huazimi nga Chelsea.
Dyshimet se ai nuk do të aktivizohet më me kampionët e Europës në fuqi u shtuan pasi dje nuk pranoi të dilte në stërvitje me skuadrën. Ai i kishte komunikuar teknikut Julen Lopetegui se do të kërkojë një “aventurë” të re në mënyrë që të ketë më tepër minuta në dispozicion, gjë që te “Los Blancos” ai nuk arriti dot në 3 sezone. Në këtë hark kohor, ai ka grumbulluar 37 ndeshje si startues, ku vetëm 10 i garantoi sezonin e fundit.