Trajneri i Kamzës, Bledar Devolli shquhet për temperamentin e tij të veçantë, gjaknxehtë dhe shpesh herë nervoz. Gjirokastriti duket se përfshihet shumë nga emocionet dhe nervat e lojës në pankinë, ndërsa vetëm pak ditë më parë debatoi ashpër me mesfushorin e Partizanit, Idi Bathën në miqësoren që kamzalinjtë zhvilluan ndaj të kuqve.
Por, Devolli nuk i ka përmbajtur nervat as në sfidën e djeshme në Korçë. Gjatë miqësores kundër Skënderbeut, trajneri i Kamzës ka qenë shumë aktiv në stol, duke iu bërtitur të tijve pa fund gjatë gjithë kohës. Kaq ka mjaftuar që tifozët korçarë të ndiheshin të “bezdisur” nga ulërimat e Devollit dhe i kanë kërkuar shpesh herë të qetësohet.
Përgjigjja e trajnerit të Kamzës nuk ka munguar as ndaj tifozëve të Skënderbeut, ndërsa është parë të debatojë me disa fansa në tribunën e stadiumit, replika që gjithsesi kanë mbetur aty për aty.