Pas përfundimit të aventurës Europiane për Kukësin dhe eleminimit nga Torpedo ditën e djeshme në turin e tretë të Europa League, tashmë te verilindorët priten lëvizjet e fundit në merkato për të përgatitur ekipin për sezonin e ri në Superligë.
Por përveç ndonjë afrimi potencial, me shumë interes priten edhe largimet nga nënkampionët e Shqipërisë. Kështu i pari që pritet t’i thotë lamtumirë Kukësit është Sebino Plaku, me sulmuesin që me shumë mundësi do rikthehet te Kamza. Marrëveshja fillestare e sulmuesit me verilindorët ishte vetëm për ndeshjet në Europë, e tashmë rikthimi në kryeqytet është pothuajse i sigurt.
Nga ana tjetër edhe braziliani Roxher Rodrigez është me “valixhe në duar”, me lojtarin që nuk është aktivizuar fare në ndeshjet fundit. Po ashtu përflitet edhe për një largim të Vangjel Zguros, megjithëse për pogradecarin nuk ka ende asgjë të sigurt në këtë drejtim.