Partizani ka qenë ekipi që ka pasur shumë “firo” në lojtarë në fillim të këtij viti. Të kuqtë nisën një revolucion duke larguar shumë lojtarë të rëndësishëm në fillim të këtij viti. Në fillim u larguan Krasniqi, Malota dhe Sukaj ndërsa më pasuan Fili dhe Vila. Por duket se këto largime nuk kanë qenë të mirëmenduara nga drejtuesit e kuq.
Në një moment kur Partizani po vuan për të gjetur një lojtar goli dhe që shënon në vazhdimësi, të gjithë të larguarit nga “demat” kanë shkëlqyer me gola në Superligë. Duke u ndalur te kjo javë e 20-të shohim golat e ish-lojtarëve të kuq. Në ndeshjen Kamza – Skënderbeu ishte një “spektakël i Partizanit”. Në njërin krah për Kamzën shënoi Fili ndërsa për bardhekuqtë një dopietë realizoi Vila.
Javën e kaluar ai që shënonte nga ish-ët e kuq ishte Sukaj. Shkodrani siglonte një dopietë në Lushnje me ekipin e Vllaznisë. Të larguar si të padëshiruar apo të panevojshëm të gjithë po shënojnë në Superiore ndërsa të kuqtë po “vuajnë” në këto javë ku nëse mund të quhet golashënues i tillë po shfaqet Asani. /Newsport.al/