Partizani ka siguruar praktikisht një vend në Europë edhe pse gjithçka varet nga dënimi që mund të marrë Skënderbeu, çështja e cila ende nuk është mbyllur. Të kuqtë janë duke pritur sinjalin e radhës për të nisur nga puna me grumbullimet dhe nisjen e përgatitjeve.
Ndërkohë që kampionati ka përfunduar, “Demat” po mendojnë të bëjnë lëvizje të mëdha, të cilat flitet se do të nisin me trajnerin. Edhe pse Klevis Dalipi dje kërkoi besimin për sezonin e ardhshëm, drejtuesit duhet thënë nuk kanë mbetur të kënaqur nga ecuria e rezultateve të javëve të fundit.
Në këto kushte, të gjithë mendojnë se teknikut elbasanas zor se do t’i jepet edhe një vit kohë për të vënë në zbatim planin e tij edhe pse gjithçka pritet të mësohet ditët në vijim.
Një tjetër çështje është ajo e hyrje-daljeve. Pritet që te Partizani të ketë lëvizje të mëdha sa i përket merkatos së verës. Shumë emra “veteranësh” kanë qarkulluar si largime të mundshme, sikur ka dhe emra të njohur që flitet se mund të afrohen në skuadër. Është ende herët për të folur lidhur me këtë gjë, pasi merkatoja ende nuk ka nisur. Do të duhet të hapet zyrtarisht merkatoja për të zbuluar më pas se cilat do të jenë ndryshimet që do ndodhin, qoftë me trajnerin, lojtarët apo dhe me stafin teknik të të kuqve.