Partizani ditën e nesërme, do të luajë përballë Kastriotit, në transfertë dhe siç e do tradita përpara çdo ndeshje, kishte një konferencë për shtyp. Përpara mediave folën Skënder Gega, trajneri i Partizanit dhe Jurgen Bardhi, i cili sot kishte 21-vjetorin e lindjes.
I pyetur për golin që i mungon, lojtari i Partizanit ka thënë: “Seriozisht kjo puna e golit është pak bajat, por unë nuk e vras shumë mendjen. Po jap më të mirën dhe profesori është i kënaqur. Edhe po bëj mirë edhe po jap asiste. Ndërsa Telushi po e bën mirë punën e golit dhe s’po ia marr rolin.” Futbollisti foli dhe për tifozerinë e ekipit duke shtuar: “Partizani ka shumë tifozë dhe Fushë Kruja është vatra e tifozëve të Partizanit. Edhe në “Selman Stërmasi” çereku i tifozëve janë nga Fushë-Kruja dhe besoj se do ketë shumë tifozë që do na ndihmojnë këtë ndeshje. Dua që kjo ndeshje t’i japë fillimisht fat Partizanit dhe pastaj mua. Dua të ecë ekipi.”
Në mbyllje të fjalës së tij Bardhi ka folur dhe për presionin që ka ekipi dhe mënyra se si e menaxhon trajneri. “Këtë vit jemi më të qetë. Profesori nuk na fut në presion, gjithmonë na thotë “jeni më të mirët”, na ndihmon, nuk na vë në presion siç ka qenë herët e tjera që flitej “titulli, titulli, titulli” dhe ishim nën presion. Këtë vit jemi me këmbë në tokë.”